E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida e zvarritjeve gjyqësore, ministri Gogu: Drejtësi e aksesueshme për të gjithë dhe që funksionon çdo ditë

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu zhvilloi një ditë më parë një seri takimesh në Korçë, në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”, ku në fokus ishte lidhja mes zhvillimit ekonomik dhe funksionimit të sistemit të drejtësisë.

Gjatë takimeve me operatorë turistikë, përfaqësues të komunitetit, profesionet e lira dhe qytetarë, Gogu theksoi se rritja e turizmit, vlerësimi i trashëgimisë kulturore dhe rikthimi i diasporës janë tregues pozitivë të zhvillimit të vendit, por kërkojnë një mbështetje të fortë nga shteti i së drejtës.

“Sot pamë dy realitete paralelisht: nga njëra anë një zhvillim real – turizëm që rritet, kulturë që tërheq vizitorë, njerëz që kthehen dhe investojnë; nga ana tjetër, problematika konkrete që lidhen me drejtësinë e përditshme të qytetarëve,” u shpreh ai.

Gogu nënvizoi se sfidat kryesore mbeten zvarritjet në proceset gjyqësore, vështirësitë në ekzekutimin e vendimeve dhe aksesi i qytetarëve në drejtësi.

Gjatë takimit në Korçë, përfaqësues të komunitetit ligjor ngritën gjithashtu shqetësime konkrete mbi efektet e hartës së re gjyqësore, veçanërisht në lidhje me aksesin e qytetarëve dhe kohëzgjatjen e proceseve, çështje që mbeten në vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

“Qytetarët nuk kërkojnë teori. Kërkojnë që çështjet të mos zvarriten, që vendimet të zbatohen dhe që drejtësia të jetë e aksesueshme për të gjithë,” theksoi ai.

Sipas ministrit, fokusi i punës në vijim do të jetë përmirësimi i funksionimit të sistemit në praktikë, përtej kuadrit ligjor ekzistues.

“Besimi tek shteti nuk ndërtohet me fjalë, por me drejtësi që funksionon çdo ditë,” përfundoi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›