“Sfida kryesore, zbatimi i reformave dhe mbyllja e kapitujve”, Rama krah Costës: Shqipëria duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm drejt anëtarësimit në BE

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Shqipëria duhet të vazhdojë me të njëjtin ritëm në procesin e anëtarësimit në BE, një dakordësi kjo edhe me Këshillin Europian. Rama zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin e Këshillit Europian, António Costa, gjatë së cilës vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të tij për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Kreu i qeverisë shqiptare e cilësoi Presidentin e KE si një personalitet me përvojë të madhe dhe njohje të thellë të çështjeve europiane dhe ndërkombëtare, duke theksuar se çdo takim me të është një mundësi për të mësuar.
“Mirë se erdhe i dashur Antonio, është përherë kënaqësi jo për protokollin dhe as për mikpritjen e pakushte, por për faktin se çdo takim me Presidentin, është një orë, dy orë apo tre orë mësimi. Mësim nga një eksperiencë e madhe dhe patjetër dhe nga një njohje e thellë e çështjeve të Europës, e çështjeve të botës, e çështjeve të ekonomisë, e çështjeve sociale e me radhë. Dua ta falënderoj sot Antonion posaçërisht për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për mbështetjen e palodhur përpara se ne të realizonim mbylljen e fazës së parë, ose më saktë mbylljen e fazës së çeljes së kapitujve dhe hapjen e fazës së mbylljes së kapitujve në një kohë kur të gjithë së bashku përballemi me shumë sfida që nuk janë individuale, por gjithmonë e më të përbashkëta.”, tha Rama.
Ai nënvizoi se detyrat duhet të përmbushen jo për hir të Brukselit apo Parisit, por për hir të performancës së institucioneve dhe të pushteteve të pavarura në Shqipëri.
Rama theksoi bindjen e përbashkët me Presidentin e Këshillit Europian se “pjesa kryesore e punës mbetet puna jonë këtu”.
“Rama theksoi bindjen e përbashkët me Presidentin e Këshillit Europian se “pjesa kryesore e punës sonë këtu mbetet puna jonë”.
“Në këtë fazë, theksi kryesor është zbatimi i atyre reformave që janë kryer me sukses apo i gjithë këtyre ligjeve që do vazhdojnë të hyjnë në organizmin ligjor të Shqipërisë. Natyrisht që është një proces me shumë sfida. Me të drejtë Presidenti na ka sugjeruar që të rrisim përpjekjet për të njohur publikun e gjerë me të gjitha këto sfida që shoqërojnë çdo hap që ne hedhim përpara. Kemi folur për eksperiencën e Portugalisë, të fermerëve, të prodhuesve të verës, për sfidat që ata patën për t’u adaptuar, por pastaj të pasuara me shumë sukses dhe rezultatet shumë më të mira për fermat e tyre”, deklaroi Rama.
Ai theksoi më tej se ne kemi dakordësi 100% në të gjitha çështjet. “Dakordësi 100% për sa i përket detyrave që ne duhet të bëjmë, për sa i përket domosdoshmërisë që të ecim me këtë ritëm dhe të fillojmë me mbylljen e kapitujve. Kemi dakordësi 100% që të bëjmë çmos që rajoni si i tërë të funksionojë si një kolektiv bashkëpunues dhe kemi dakordësi 100% se të gjitha këto janë më të lehta për faktin se në këtë rrugë nuk jemi vetëm, por kemi një partner të jashtëzakonshëm siç është BE dhe kemi një burim të jashtëzakonshëm dijesh siç është procesi i negociatave dhe ndërveprimi me Komisionin Europian”, u shpreh kreu i qeverisë.
/rtsh.al/