E Martë, 3 Nëntor 2026

Shahbazov: Azerbajxhan-Shqipëri, dialog aktiv politik dhe bashkëpunim dinamik

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Ministri i Energjisë i Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov deklaroi sot se “marrëdhëniet Azerbajxhan-Shqipëri kanë kaluar në një nivel të ri mbështetur në një dialog aktiv politik dhe në një bashkëpunim dinamik”.

Në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit të gazifikimit të qytetit të Korçës, ku ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministri Shahbazov theksoi se “presidenti Aliev i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe do të doja t’ju falënderoja sinqerisht kryeministër për mbështetjen tuaj të palëkundur për forcimin e lidhjeve mes dy kombeve tona”.

“Miqësia vizioni strategjik dhe vendimet e udhëheqësve tanë krahas vizitave të tyre të rregullta kanë shërbyer si forca kryesore shtytëse për zgjerimin dhe thellimin e lidhjeve tona dypalëshe”, tha Shahbazov.

Ministri Shahbazov u shpreh se “takimi i parë i komisionit ndërqeveritar mbajtur në Baku vitin e kaluar së bashku me nënshkrimin e marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik dëshmojnë qartë vullnetin e fortë të të dyja vendeve për të çuar përpara partneritetin tonë”.

“Sektori energjetik është një prej fushave kyçe të rëndësisë strategjike në ndërveprimin tonë dypalësh e në partneritetin tonë më të gjerë me Europën duke kontribuar në të njëjtën kohë për rritjen dhe zhvillimin ekonomik. Azerbajzhani dhe Shqipëria kanë qenë partnerë të afërt prej një kohë të gjatë përmes korridorit jugor të gazit duke luajtur rol jetik në rritjen e sigurisë energjetike europiane dhe diversifikimin e furnizimit në energji”, theksoi Shahbazov.

Sot, vijoi ministri Shahbazov, më shumë se 45 miliardë metër kub të gazit natyror të Azerbajxhanit janë dërguar në tregjet evropiane përmes Shqipërisë dhe korridorit jugor të gazit dhe gazsjellësit TransAdriatik.

“Aktualisht Azerbajxhani eksporton gaz në 12 vende përfishirë 10 në Europë me mbi 50% të furnizimit të përgjithshëm drejtuar në tregun evropian. “Zgjerimi i këshillit konsultativ për Korridorin Jugor të gazit nga 7 anëtarë në 20 vende pjesëmarrëse sot nënvizon edhe më tej statusin e Azerbajxhanit si partner i besueshëm dhe rolin strategjik kyç në ofrimin e sigurisë energjetike. Duke pasur parasysh rritjen e rolit të gazit natyror për të siguruar një furnizim me energji që është i qëndrueshëm i sigurt e përballueshëm duke lehtësuar tranzicionin energjetik, zgjerimi i eksporteve azerbajxhanase në tregjet europiane është vërë veçanërisht i rëndësishëm”, tha Shahbazov.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›