E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shefi i EULEX-it: Pavarësia gjyqësore duhet të respektohet nga të gjithë

Giovanni Pietro Barbano, Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, ka reaguar në platformën X ndaj sulmeve dhe ndërhyrjeve ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i cilësuar ato si të papranueshme.

Ai ka theksuar se pavarësia gjyqësore është thelbësore për sundimin e ligjit dhe se sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kryejnë detyrat e tyre janë të patolerueshme.

Kjo deklaratë vjen pas komenteve të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se Gjykata Kushtetuese po vepron si një hije politike e opozitës kundër Vetëvendosjes, duke përmendur se pesë nga shtatë gjyqtarët e saj u zgjodhën në 2018-ën, kur në pushtet ishin PAN-i dhe Lista Serbe.

Po ashtu, nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se Gjykata Kushtetuese ndodhet para një vendimi të rëndësishëm.

EULEX, sipas mandatit të saj, monitoron sistemin e drejtësisë në Kosovë, por nuk kryen hetime të drejtpërdrejta. Barbano ka bërë thirrje që çdo shqetësim lidhur me çështje gjyqësore t’u drejtohet autoriteteve përkatëse si Prokuroria, Policia e Kosovës ose Inspektorati Policor i Kosovës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›