E Diel, 1 Nëntor 2026

Shehaj: Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë

TIRANË, 3 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot në Kuvend se Gjykata Kushtetuese ndodhet përballë një momenti historik lidhur me shqyrtimin e çështjes për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres, Belinda Balluku.

Në fjalën e tij, Shehaj theksoi se për herë të dytë Gjykata Kushtetuese ka shtyrë marrjen e vendimit, duke nënvizuar se kjo situatë ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e drejtësisë.

Ai deklaroi se rasti përbën një provë të drejtpërdrejtë për luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për ushtrim presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Sipas meje, Gjykata Kushtetuese nuk ka rrugë tjetër veçse të mbështesë drejtësinë dhe luftën kundër korrupsionit. Ky është një moment historik për vendin”, tha Shehaj.

Kreu i Partisë Mundësia kritikoi gjithashtu mazhorancën për sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë dhe përpjekjet për të zhvendosur vëmendjen publike drejt debatit mbi pagat e gjyqtarëve.

“Problemi real nuk janë pagat e gjyqtarëve, por fakti që qeveria po përballet me një drejtësi që po vepron”, deklaroi ai.

Në përfundim, Shehaj theksoi se, sipas tij, qytetarët shqiptarë mbështesin SPAK-un dhe institucionet e drejtësisë dhe kërkojnë që zyrtarët e akuzuar të përballen me ligjin pa ndikime politike.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›