E Martë, 3 Nëntor 2026

Shehu: Kreditë me probleme në nivelin 4,2%, më i ulti në 15 vitet e fundit

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Drejtori i departamentit të Stabilitetit Financiar pranë Bankës së Shqipërisë, Klodion Shehu, deklaroi se, “cilësia e kredisë është përmirësuar në gjashtëmujorin e dytë 2024, duke shënuar rënie në 4,2% të kredisë me probleme, që është niveli më i ulët në 15 vitet e fundit”.

Gjatë prezantimit sot në Tiranë, të Raportit të Stabilitetit Financiar, të Bankës Qendore, Shehu theksoi se, gjithashtu edhe ekspozimi i sektorit bankar ndaj rrezikut të tregut, kryesisht kursit të këmbimit dhe normave të interesit, mbetet i kontrolluar.

“Sektori bankar ka rritur, ka siguruar veprimtarinë e tij edhe më tej gjatë vitit 2024, edhe gjatë periudhës. Në terma të Prodhimit të Brendshëm Bruto, pesha e tij ka arritur në 93,2%. Është rritur në terma të periudhës, por ka rënie të lehtë në krahasim me një vit më përpara. Në përgjithësi, kontributin pozitiv në ecurinë e aktiveve të sektorit bankar, e ka dhënë rritja e kreditimit dhe investimet në letra me vlerë”, tha ai.

Sipas tij, fitimet e bankave u përmirësuan gjatë vitit 2024, kryesisht prej të ardhurve neto nga interesi në formën e komisioneve, apo të ardhurave nga përmirësimi i pozicionit në investimet ndërkombëtare.

“Ekonomia shqiptare u rrit në 4,1% në terma vjetorë, rritje kjo që është mbështetur nga konsumi i brendshëm dhe investimeve nga sektori privat”, theksoi Shehu.

Duke u ndalur në zhvillimet ndërkombëtare, Shehu vuri në dukje se lufta tregtare mund të ndikojnë në konsum dhe investime.

“Kemi zhvillime të rëndësishme në nivel ndërkombëtar, për shkak të situatës gjeopolitike dhe luftës tregtare, dhe për këtë arsye mbetet për t’u parë se cili do të jetë rezultati i këtij zhvillimi që ka ndodhur në tregjet ndërkombëtare, por sidoqoftë në rast se ai shoqërohet me rritje të pasigurisë, ka shumë mundësi që të ketë rritje të normave të interesit, rritje të presioneve inflacioniste dhe kjo të ndikojë në terma të konsumit dhe të investimeve në përgjithësi, dhe sigurisht edhe ekonomia jonë mund të preket nga këto ndikime”, pohon Shehu.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›