E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shembet masiv shkëmbor në aksin Kir-Ndërlysaj, Beci: Rrugë alternative në drejtim të Shkodrës

TIRANË, 13 shtator /ATSH/ Aksi rrugor Kir-Lotaj-Ndërlysaj është bllokuar që prej ditës së djeshme si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu. Fatmirësisht nuk është shënuar asnjë dëmtim i kalimtarëve apo i punonjësve të firmës që po kryen punimet.

Kryetari i bashkisë së Shkodrës, Benet Beci reagoi sot pas bllokimit të këtij aksi të rëndësishëm rrugor që lidh Shkodrën me Dukagjinin.

“Që prej ditës së djeshme, si pasojë e shembjes së një masivi shkëmbor në rrugën Kir–Lotaj–Ndërlysaj, pjesë e rrugës së Dukagjinit, Loti II, i projektit që po financohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në vendin e quajtur “Prroni i Çiverit”, fshati Kir, njësia administrative Pult, është bllokuar segmenti rrugor”, informon Beci.

Beci sqaroi se “firma kontraktuese, pavarësisht angazhimit për lirimin e këtij segmenti, e ka pasur të pamundur zhbllokimin e rrugës për shkak të shembjeve të vazhdueshme, të cilat vijojnë edhe sot”.

“Është tepër e rrezikshme të përdoren fadromat apo eskavatorët, pasi masivi shkëmbor mbi aksin e rrugës ka një lartësi prej 150–200 metrash”, tha Beci në një postim në rrjetet sociale.

Duke iu referuar ekspertëve, Beci tha se duhet pritur stabilizimi i terrenit për të ndërhyrë në kushte sigurie, duke kërkuar mirëkuptimin e banorëve dhe u sugjeroi të përdorin rrugë alternative për të lëvizur në drejtim të Shkodrës.

“Sapo ekspertët e sigurisë të japin dakordësinë për vijimin e punimeve, firma që po kryen punimet në këtë segment rrugor do të bëjë zhbllokimin e këtij aksi rrugor”, përfundoi Beci.

Aksi Kir-Lotaj-Ndërlysaj, është një ndër segmentet me të rëndësishme të veriut të vendit, që lidh Shkodrën me Lekbibajn në Tropojë e në vijim me Bajram Currin, luginën e Valbonës si dhe me Gjakovën në Kosovë.

Ky projekt, renditet si një ndër më të rëndësishmit për veriun e Shqipërisë, që pritet të lehtësojë qarkullimin e mjeteve, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët e shumtë që vizitojnë Dukagjinin dhe veriun e Shqipërisë.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›