Shembet objekti pa leje në Shkodër, lirohet sheshi para kopshtit “Bep Tusha”

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Në të gjithë territorin e vendit po vijon puna për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme, një nismë që i paraprin zbatimit të programit “Rilindja Urbane 2.0”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga ndërhyrja që është kryer në sheshin përpara kopshtit “Bep Tusha” në Shkodër.
Nga pamjet e publikuara nga kryeministri Rama shihet shembja e një objekti që prej vitesh kishte zënë hapësirën publike.
“Sheshi përpara kopshtit ‘Bep Tusha’ në Shkodër, çlirohet nga objektet që prej vitesh kishin zënë hapësirën publike”, tha Rama.
Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
E nisur në korrik 2025, ajo është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Ndërkohë, qeveria shqiptare ka ashpërsuar masat për forcimin e kontrollit mbi territorin, mbrojtjen e hapësirave publike, zbatimin cilësor të lejeve të ndërtimit dhe ndëshkimin e ndërtuesve që i shkelin ato.
/m.m/j.p/r.e/