E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet ura te ‘Arrat e Gurrës’/ Do ndërtohet rrugë provizore buzë Shkumbinit, s’ka afat për hapjen

Ura e dëmtuar në fshatin Dragostunjë, në segmentin rrugor Librazhd–Prrenjas, është shembur sot me mjete të rënda nën masa të rrepta sigurie. Ajo kishte pësuar dëmtime të rënda si pasojë e rrëshqitjes së tokës dhe deformimit të trupit të rrugës, duke çuar në bllokimin e qarkullimit që prej ditës së shtunë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se zhvendosja e rrugës dhe çarja e shtresave mbajtëse e bënë të pamundur çdo ndërhyrje riparuese apo hapjen e një bypass-i provizor. Sipas Autoriteti Rrugor Shqiptar, një ditë më parë u njoftua se do të ndërtohet një rrugë e re provizore me gjatësi rreth 1.3 kilometra përgjatë linjës hekurudhore, me qëllim rikthimin e qarkullimit nga Librazhd drejt Prrenjas. Ende nuk është bërë publik një afat për përfundimin e kësaj rruge, e cila pritet të zhbllokojë lëvizjen në këtë aks të rëndësishëm drejt juglindjes së vendit.

Aktualisht, mjetet e vogla po devijohen përmes itinerarit Elbasan – Gramsh – Moglicë – Lozhan – Maliq. Ndërkohë, për mjetet e rënda të transportit të mallrave, autoritetet këshillojnë hyrje-daljen përmes pikave doganore të Bllatë dhe Kakavijë.

Paralelisht, po planifikohet ndërtimi i një ure të re, më të qëndrueshme dhe të përshtatur me kushtet gjeologjike të terrenit, për të garantuar sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të këtij segmenti rrugor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›