E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimet e parkimit në kryeqytet, 100% online me aplikacionin “Tirana Parking”

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Bashkia e Tiranës njoftoi sot lansimin e aplikacionit Tirana Parking, që ofron shërbime 100% digjitale për parkimin në kryeqytet.

Bashkia bëri të ditur se qytetarët mund të kryejnë çdo procedurë nga celulari, në çdo orë dhe çdo ditë të javës, duke shmangur sportelet dhe dokumentet fizike.

Sipas bashkisë kjo është një mënyrë e thjeshtë, inovative dhe tërësisht digjitale për parkimin në qytet.

Përmes aplikacionit, qytetarët mund të aplikojnë online për kartën e rezidentit, për parkimet e rezervuara me pagesë, mund të rinovojnë abonimet në sheshparkime, si dhe të ndjekin statusin e aplikimeve dhe kërkesave të tyre.

Platforma garanton gjithashtu siguri për menaxhimin e të dhënave, në përputhje me standardet bashkëkohore të administrimit publik, duke rritur transparencën dhe reduktuar procedurat fizike.

Bashkia e Tiranës thekson se digjitalizimi i shërbimeve përbën një prioritet për përmirësimin e përvojës së qytetarëve dhe ndërtimin e një sistemi më efikas dhe funksional të menaxhimit të parkimit.

Bashkia e Tiranës apeloi qytetarët të shkarkojnë aplikacionin “Tirana Parking” dhe të përfitojnë shërbimet nga telefoni për çështjen e parkimit, pa radhë, pa humbje kohe, pa burokraci.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›