Shërbimi Social Shtetëror: Personat me aftësi të kufizuar do përfitojnë pagesat e reja nga 1 gushti, asnjë e drejtë e tyre s’do cenohet

Shërbimi Social Shtetëror ka bërë të ditur se janë miratuar aktet përkatëse për përfituesit e ndihmës ekonomike për personat me aftësi të kufizuara dhe ndihmësit e tyre personalë.
Sipas shërbimit Social Shtetëror, Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që ndryshimet të hyjnë në fuqi me efekt financiar që nga data 1 korrik 2026.
Gjithashtu, bëhet e ditur se duke filluar nga data 1 gusht të këtij viti, përfituesit do të marrin pagesën sipas vlerave të reja, së bashku me diferencën që u takon për muajin korrik 2026.
“Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që këto ndryshime hyjnë në fuqi me efekt financiar nga 1 korriku 2026. Për këtë arsye, Shërbimi Social Shtetëror siguron të gjithë përfituesit se asnjë e drejtë e fituar nuk do të cenohet dhe çdo përfitim do të zbatohet sipas përcaktimeve të vendimit, çka do të thotë se duke filluar nga 1 gushti 2026 përfituesit do të marrin pagesën sipas vlerave të reja, së bashku me diferencën që u përket për muajin korrik”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Social Shtetëror.
/rtsh.al/