E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i Provës mbikëqyri mbi 10 mijë persona gjatë qershorit, u përfunduan mbi 2 mijë raste

TIRANË, 3 korrik /ATSH/ Shërbimi i Provës vijon të luajë një rol të rëndësishëm në rehabilitimin dhe riintegrimin e personave në konflikt me ligjin, duke kontribuar njëkohësisht në rritjen e sigurisë në komunitet.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Drejtësisë, gjatë muajit qershor 2026 janë mbikëqyrur 10 579 persona, ndërsa kanë përfunduar 2 066 raste mbikëqyrjeje.

Gjatë së njëjtës periudhë janë ekzekutuar 2 940 urdhra për të rritur dhe 66 urdhra për të mitur. Po ashtu, Shërbimi i Provës ka hartuar 525 raporte vlerësimi për gjykatat dhe prokuroritë.

Në funksion të rehabilitimit dhe riintegrimit të personave nën mbikëqyrje, gjatë muajit qershor janë zhvilluar edhe 36 aktivitete mbështetëse.

“Këto rezultate pasqyrojnë angazhimin e përditshëm të Shërbimit të Provës për një sistem drejtësie që jo vetëm zbaton ligjin, por edhe krijon mundësi reale për riintegrim dhe ulje të përsëritjes së veprave penale”, njoftoi Ministria e Drejtësisë.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›