Shërbimi zjarrfikës në Velipojë, masat parandaluese dhe apeli për kujdes ndaj zjarreve gjatë verës

Me rritjen e fluksit të pushuesve në Velipojë, edhe shërbimi zjarrfikës mbetet në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo situate emergjente. Deri tani, sezoni veror paraqitet pa problematika të mëdha, ndërsa ndërhyrjet kanë qenë të kufizuara.
“Këtë vit ka qenë në përgjithësi gjendja më e qetë, me përjashtim të një rasti në Luarë, ku ka qenë një zjarr i madh dhe i vështirë për t’u fikur. Ky zjarr ka kërkuar shumë kohë dhe punë për t’u arritur dhe për t’u vënë nën kontroll.” – u shpreh Gjergj Rrahi, zjarrfikës, MZSH Shkodër.
Për të garantuar sigurinë gjatë sezonit, shërbimi zjarrfikës ka marrë masa për rritjen e gatishmërisë dhe reagimin në kohë.
“Në Velipojë, çdo vit krijohet një stacion më efektiv me automjet zjarrfikës dhe pajisje të posaçme për ndërhyrje në raste emergjente. Ky stacion është i gatshëm të reagojë për çdo rast që paraqitet, sipas kërkesave të komunitetit, duke qenë në gatishmëri të plotë 24 orë në ditë dhe shtatë ditë në javë.”
Një rol të rëndësishëm në parandalimin e zjarreve kanë edhe pushuesit dhe bizneset që ushtrojnë aktivitet në zonën e plazhit.
“Sidomos me bombolat e gazit duhet të kemi kujdes dhe të sigurohemi që të mbyllen gjithmonë pas përdorimit. Gjithashtu, për pajisjet elektrike, e sidomos për kondicionerët, kur dalim nga shtëpia duhet t’i fikim. Është e domosdoshme të mos ndezim zjarre për pastrimin e parcelave apo të bahçeve, sepse nga një vatër e vogël mund të krijohet një zjarr i madh, me pasoja të rënda që rrezikojnë pronën dhe jetën.”
Zbatimi i rregullave të sigurisë dhe bashkëpunimi me autoritetet mbeten elementë kyç për një sezon veror të sigurt dhe pa incidente.
Gazetare: Blerta Cina
/rtsh.al/