E Martë, 3 Nëntor 2026

Sherr në Këshillin Bashkiak, mbledhja e fundit për këtë sezon mbyllet me konflikt fizik mes këshilltarëve

Mbledhja e fundit e këshillit bashkiak të Tiranës për këtë sezon është shoqëruar me debate të ashpra, por edhe me konflikt fizik mes dy këshilltarëve, Halit Valteri i PS dhe Tedi Blushi i PL-së.

Mbledhja nisi fillimisht me një përplasje të ashpër verbale mes Tedi Blushit, kryetari i grupit të Partisë së Lirës dhe Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj për të përfunduar më pas me një përplasje fizike mes këshilltarit të majtë Halit Valteri dhe Blushit.

Mbledhja u ndërpre, ndërsa kryetarja e këshillit bashkiak Romina Kuko kërkoi edhe ndërhyrjen e policisë bashkiake. Të dy këshilltarët pretendojnë për dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit, por ka qenë këshilltari socialist, Halit Valteri i cili ka depozituar kallëzimin në polici.

Kjo ishte edhe mbledhja e fundit për këtë sezon, ku pritej të miratoheshin disa vendime.

Për ngjarjen e rende ka reaguar Veliaj i cili shkruan se do të kërkojë zbatimin e ligjit.

“Sot Këshilli Bashkiak kish për të votuar hapjen e 2 çerdheve te reja, abonentë falas për studentet, miratimin e shkollës Ecole 42 për të rinjtë, zonën e lire ekonomike TEDA për 5mije vende punë të reja dhe grantin e Katarit për sheshin fundor tek Bulevardi i Ri.

Por Ilir Meta dhe rrugaçi i fundit që i ka mbetur, nuk e përballojnë dot as suksesin e Tiranës dhe as humbjen kolosale të partickës së tyre. Sjellja për vandali ndaj kolegëve këshilltarë, është shenjë dëshpërimi, jo force. Do të kërkoj zbatimin e ligjit me përpikmëri që rrugaçëria të marrë përgjigjen që meriton, dhe Tirana të mos mbetet peng i maktheve të Ilir Metës e mjeranëve te tij”, shkruan Veliaj.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›