E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në sallën e GJKKO-së, përplasen të akuzuarit për vrasjen e Renis Dobrës

Një incident është regjistruar ditën e sotme në ambientet e GJKKO, gjatë një seance gjyqësore për dosjen e vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra.

Sipas informacioneve paraprake, brenda sallës së gjyqit, në “kafazin e xhamit”, ka shpërthyer një konflikt fizik mes të pandehurve të çështjes. Përplasja ka ndodhur mes Petrit Çakraj dhe vëllezërve Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj, të gjithë të akuzuar për vrasjen dhe hedhjen në lumë të të riut.

Debati verbal mësohet se ka degjeneruar në dhunë fizike, ku të akuzuarit kanë goditur njëri-tjetrin, duke detyruar ndërhyrjen e menjëhershme të punonjësve të policisë së gjykatës për t’i neutralizuar dhe ndarë.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet që çuan në përplasjen mes tyre, ndërsa seanca është zhvilluar pa praninë e mediave.

Autoritetet pritet të sqarojnë në vijim rrethanat e incidentit brenda sallës së gjyqit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›