Shisnin mallra kontrabandë online, Policia: Kontrolle në Tiranë e Durrës, 4 të arrestuar

TIRANË, 18 tetor /ATSH/ Policia e Shtetit ka kryer një aksion kundër shitjes së mallrave kontrabandë, kryesisht online, duke mos deklaruar shitjet në organet tatimore, si dhe duke futur mallra të dyshuara të kontrabanduara, në vend.
Në kuadër të operacionit të koduar “Hidden money”, policia njofton se janë arrestuar shtetasit F. Xh., 28 vjeç, banues në Tiranë, K. K., 27 vjeç, banues në Tiranë, Y. I., 45 vjeç, banues në Paskuqan, M. V., 32 vjeç, banues në Durrës; janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit E. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, dhe E. M., 35 vjeçe, banuese në Tiranë;
Gjithashtu, sipas policisë po punohet për kapjen e shtetasve L. F., 32 vjeç, banues në Kavajë, F. Q., 34 vjeçe, banuese në Durrës, dhe A. I., 47 vjeç, banues në Paskuqan.
Policia njofton se janë kryer kontrolle në 13 subjekte të ndryshme në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Sipas policisë, subjektet e lartpërmendura tregtonin mallra të ndryshme dhe kryenin aktivitetin e tyre kryesisht online, nëpërmjet rrjeteve sociale “Facebook”, “Instagram” dhe “TikTok”, duke mos deklaruar shitjet në organet tatimore, si dhe duke futur produkte kontrabandë, në RSH.
Nga përllogaritjet e strukturave të Hetimit Tatimor, policia bën me dije se janë analizuar dërgesat e postës për secilin subjekt, duke i ndarë në vite dhe më pas janë krahasuar me deklarimet e kryera nga çdo subjekt, dhe krahasuar deklarimet në tatime me deklarimet në postë, rezulton një diferencë totale prej 1 500 000 euro.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, si dhe celularët e shtetasve të proceduar.
/r.e/a.f/