“Shiti detin”, “Meta e ka dekretuar 3 herë”/ Ish presidenti: Replikë e detyruar me Ballën nga kështjella 313

Ka kaluar me debate seanca plenare ku ndër të tjera u votua edhe ministri i ri i jashtëm, Ferit Hoxha.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi tha se Ferit Hoxha ishte kryenegociatori që firmosi marrëveshjen që ishte denoncuar më pas si tradhti kombëtare. Sipas Blushit, ishte loja e dyfishtë e tij që kryeministri Edi Rama e bëri ministër të Jashtëm.
“Unë nuk bëj sulme personale ndaj kërkujt. S’kam asgjë personale me Ferit Hoxhën, nëse do kisha gjë personale këtë fakt do e ndaja 17 vite më parë. Por dua t’ju kujtoj se kryenegociatori i marrëveshjes me Greqinë ka qenë Ferit Hoxha, ky është fakt. Siç është fakt, i kam emailet akoma. Marrëveshjen ma dha Ferit Hoxha, me orientimin ‘Berisha shiti detin’. Kryenegociatori që firmosi marrëveshjen orientoi gazetarin se çfarë kishte ndodhur. I vetmi faj imi ishte se nuk e dija, s’kisha nga ta dija kush po negocionte me Greqinë, janë teknikët që bien dakord, pastaj politika shpreh vullnetin dhe firmos. Ferit Hoxha ka qenë kryenegociator, ai i cili firmosi atë marrëveshje që e denoncoi te unë si tradhti kombëtare. Kë Ferit Hoxha duhet të besojmë? Ferit Hoxha ka bërë lojë të dyfishtë dhe është fakt që për shkak të kësaj loje të dyfishtë Edi Rama e emëroi Ministër të Jashtëm”, tha Blushi.
Në replikën e tij, kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla tha se Hoxha gjatë karrierës së tij si diplomat ka qenë tepër i suksesshëm dhe ka bashkëpunuar si me PD kur ishte në pushtet, ashtu edhe me PS dhe ish-Presidentin Ilir Meta.
“Sulmet ndaj ambasadorit Hoxha i cili në kulmin e karrierës së tij u vlerësua me pozicionin më të lartë hierarkik brenda Ministrisë së Jashtme, atë të ministrit të Jashtëm, nuk i bëjnë mirë askujt në këtë sallë, për faktin se pjesa jonë më e madhe këtu na ka rënë mundësia të punojmë me Hoxhën, i cili si një ambasador karriere ka punuar me të gjitha administratat.
Sa i përket ish-Presidentit Meta, ka qenë ai që e ka dekretuar 3 herë zotin Hoxha si ambasador. Kur Meta i paska pasur këto informacione, pse e dekretoi? Sa i përket akuzave lidhur me marrëveshjen e detit, në asnjë rast nuk fajësohen përfaqësuesit teknik, pasi përgjegjësitë janë gjithmonë politike. Nuk ka askush dyshime se marrëveshja e detit e 2009, të cilën e kam denoncuar në Kushtetuese dhe e konsideroj një prej fitoreve më të mëdha politike të PS, pasi PS ka mbrojtur interesin kombëtar gjatë këtyre 35 viteve”, tha ndër të tjera në replikën e tij Balla sot në parlament.
Lidhur me këto debate në parlament ka reaguar nga burgu 313 edhe ish presidenti Ilir Meta.
“Z. Balla, meqë më përmende sot emrin për një çështje shumë serioze, jam i detyruar t’ju përgjigjem në distancë.
Ke të drejtë që u hutove nga të vërtetat që tha sot nga foltorja e Kuvendit, Z. Tedi Blushi.
Unë personalisht, kur jam njohur me këto të vërteta nuk e kam marrë veten për ditë të tëra, për arsye që personi që diskutojmë ka qenë diplomati im më i preferuar, që nga viti ’98 e deri ditën që mësova këto fakte të dhimbshme.
Nuk e mbaj mend sa herë e kam promovuar në detyrën e ambasadorit në pozitat e mia të mëparshme, si Ministër i Jashtëm, Kryeministër dhe President i Republikës.
Por ju keni një “të drejtë” sepse dy herë e kam firmosur jashtë vullnetit tim, për këto arsye që po jua bëj publike, në pamundësi për t’u takuar nga afër.
Së pari, pasi jam njohur me këto fakte, është e vërtetë që e kam firmosur si ambasador për në UNESCO vetëm për arsye njerëzore, për shkak të një tragjedie familjare që i kishte ndodhur.
Nuk kam dashur ta firmos si ambasador në OKB dhe këto arsye ja kam thënë edhe Ministres së Jashtme të asaj kohe, për arsye se ishte një pozicion i rëndësishëm dhe historik sepse Shqipëria merrte Presidencën e Këshillit të Sigurimit, e cila ishte iniciuar që në kohën që Z. Besnik Mustafaj ishte Ministër i Jashtëm.
Por, siç jua tha sot edhe Z. Tedi Blushi, pas disa ditësh, Ministrja e Jashtme e kohës, më çoi mesazh se kishte biseduar me Kryeministrin dhe ai nuk kishte kandidat tjetër.
Ndaj u detyrova ta firmos sepse nuk mund ta lija Shqipërinë pa ambasador në OKB se ishte hera e parë që vendi ynë merrte Presidencën e Këshillit të Sigurimit.
Së dyti, nuk doja të hapja një krizë tjetër publike se me mjaftonin ato që kisha me Kryeministrin dhe Kuvendin njëpartiak, si për Gjykatën Kushtetuese por edhe për çështje të tjera të mëdha.
Z. Balla, ju me “të drejtë” e kritikuat sot Z. Tedi Blushi se përse e thotë sot dhe nuk e ka thënë më përpara.
Por unë kam një kundër-pyetje për ju, nëse Z. Blushi, nuk do ta thoshte sot dhe ju pas një viti do ta propozonit Ferit Hoxhën për President të Republikës, a do ta kishte Z. Blushi ndërgjegjen e qetë, si një deputet që është betuar mbi Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Dhe në fund, e vlerësoj krenarinë tuaj për vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Çështjen e Detit, por do t’ju lutesha se mbase keni harruar t’i hidhni një sy, letrës time që ju kam dërguar të gjithë deputetëve për këtë marrëveshje, si dhe letrës publike që i kam bërë Znj. Elisa Spiropali, që e shkarkuat sot, para vizitës së saj zyrtare në Athinë.
Unë ju mirëkuptoj nëse nuk gjeni dot, si forcë politike, dikë më të fortë nga ana profesionale se sa Ferit Hoxha, por nuk do të isha i lumtur nëse ju nuk gjeni dot një kandidaturë më patrioke nga radhët tuaja”.