Shkarkohet kryeprokurori i GJNP-së/82 nga 125 vende votuan pro largimit të Kharim Khan

Anëtarët e Gjykatës Ndërkombëtare Penale votuan për shkarkimin e Karim Khan nga posti i kryeprokurorit për shkak të dyshimeve për sjellje të papërshtatshme. Avokati britanik u pezullua muajin e kaluar, ndërsa vendimi për shkarkimin e tij u miratua me 82 vota pro nga 125 vende anëtare të gjykatës.
Organi mbikëqyrës i atij institucioni zbuloi në qershor se ai kishte kryer shkelje të rëndë të detyrës, ndërsa dyshohet për sjellje të pahijshme duke u përfshirë në një marrëdhënie intime të papërshtatshme me një anëtare të stafit të Gjykatë Ndërkombëtare Penale, pretendime të cilat Khan i ka mohuar vazhdimisht, duke insistuar se nuk ka kryer asnjë shkelje. Avokati i tij tha se do të sfidojë ligjshmërinë dhe drejtësinë e vendimit përmes të gjitha mekanizmave ligjorë në dispozicion.
Karim Khan dtrejtonte Prokurorinë e Gjykatës Ndërkombëtare Penale që nga viti 2021 dhe u bë një nga figurat më të njohura të drejtësisë ndërkombëtare, veçanërisht pas vendimit për të kërkuar masa ndaj liderëve të përfshirë në konflikte ndërkombëtare, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanjhahu. Largimi i Khan nga posti i prokurorit vjen në një moment të ndjeshëm për Gjykatën Penale Ndërkombëtare, e cila po trajton disa nga çështjet më të rëndësishme të drejtësisë botërore.
Megjithatë, i gjithë procesi shkon përtej fatit të një prokurori të vetëm dhe mund të riformësojë të vetmen gjykatë të përhershme për krime lufte në botë. Hetimi ndaj tij e ka vënë institucionin në qendër të vëmendjes, ka intensifikuar përçarjet brenda tij dhe u zhvillua së bashku me një fushatë të pashembullt për të dobësuar, madje edhe për ta shpërbërë tërësisht Gjykatën Ndërkombëtare Penale, një paralajmërim i ardhur së fundmi nga SHBA.
/rtsh.al/