E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkeli perimetrin e sigurisë në det, 500 mijë lekë gjobë drejtuesit të mjetit jet ski

TIRANË, 31 maj /ATSH/ Pas raportimit në Policinë e Shtetit nga pushuesit se një mjet jet ski kishte shkelur perimetrin e sigurisë, në Vlorë duke rrezikuar jetën e tyre, Policia Kufitare ndërhyn menjëherë, duke bllokuar mjetin lundrues dhe ndëshkuar drejtuesin me masë administrative 500.000 lekë.

Menjëherë pas raportimeve dhe videos së dërguar nga qytetarët në Policinë e Shtetit, ku shfaqej një mjet lundrues tip Jet Ski që kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Karaburunit, duke shkelur perimetrin e sigurisë dhe duke rrezikuar jetën e pushuesve, shërbimet e Policisë Kufitare të SPK Triport, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, bënë të mundur konstatimin dhe ndalimin e mjetit lundrues, ndërsa po afrohej pranë molit të peshkimit në territorin e SPK Triport.

Mjeti lundrues Jet Ski u bllokua në pikën e bllokimit të mjeteve lundruese afër SMIL-it, ndërsa drejtuesi i mjetit, shtetasi E. U., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese që të respektojnë perimetrin e sigurisë dhe të zbatojnë rregullat e lundrimit, me qëllim garantimin e sigurisë së pushuesve përgjatë vijës bregdetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›