Shkëmbimet tregtare Shqipëri-Kosovë, Ambasadori Malaj: Eksportet në vend të parë

Shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës kanë ardhur në rritje vit pas viti, kjo jo vetëm si pasojë e rritjes së kërkesës në treg, por edhe lehtësimit të një sërë procedurash doganore që erdhën pas marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj thotë se eksportet e mallrave nga Shqipëria drejt Kosovës zë edhe volumin më të madh tregtar mes dy vendeve .
“Eksportet nga Shqipëria janë në nivele shumë të larta me Kosovën. Ka një bashkëpunim shumë të mirë tregtar mes vendeve, bizneset komunikojnë shumë mirë me njeri tjetrin. Lehtësira doganore mes dy qeverive po ashtu janë për tu vlerësuar. Zgjidhim çdo problematikë në të mirë të qytetarëve dhe bizneseve tona”, tha Malaj.
E shprehur në shifra, në tre mujorin e parë të këtij viti, eksportet janë rreth 30 mijë ton më shumë se tre mujori i pare i vitit të kaluar. Importet janë rritur me 7 mijë ton tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2023.
Materialet e ndërtimit dhe mineralet e papërpunuara janë kryesisht sasia më e madhe e mallrave të eksportuara, por në volumin tregtar bëjnë pjesë edhe energjia elektrike, hidrokarburet, produktet bujqësore e blektorale bashke me nënproduktet e tyre, agrumet, mobiljet, medikamentet mjekësore etj.
Një pjesë e mirë e mjeteve që transportojnë mallra drejt Kosovës kalojnë tranzit, pasi procedura e çdoganimit të tyre kryhet në Durrës, në doganën e Kosovës e cila funksionon për më shumë se një vit.
/rtsh.al/