E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkencëtarët: Dita në Tokë mund të zgjasë 25 orë?

Një ditë në Tokë zgjat 24 orë dhe kjo konsiderohet si baza e jetës moderne, nga oraret e punës deri te aktivitetet e përditshme. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se planeti ynë nuk rrotullohet gjithmonë me të njëjtën shpejtësi dhe në të ardhmen e largët, ditët mund të zgjasin deri në 25 orë.

Sipas studimeve të publikuara në revistën shkencore Science Advances, shkaku kryesor lidhet me ndikimin gravitacional të Hënës.

Tërheqja e saj krijon baticat në oqeane dhe lëvizja e vazhdueshme e ujit prodhon një lloj “fërkimi” që ngadalëson gradualisht rrotullimin e Tokës.

Ekspertët shpjegojnë se ky proces është jashtëzakonisht i ngadaltë.

Vlerësimet aktuale tregojnë se do të duhen rreth 200 milionë vite që një ditë të arrijë 25 orë.

Për këtë arsye, ndryshimi nuk pritet të ketë ndikim në jetën e njerëzve, pasi ndodh në shkallë gjeologjike.

Përveç ndikimit të Hënës, edhe faktorë të tjerë natyrorë mund të ndikojnë në gjatësinë e ditës, si shkrirja e akullnajave, lëvizja e ujërave nëntokësore apo tërmetet e fuqishme. Megjithatë, këto ndryshime mbeten shumë të vogla krahasuar me efektin afatgjatë të baticave.

Shkencëtarët theksojnë se Toka nuk ka qenë kurrë një “orë perfekte”, pasi shpejtësia e rrotullimit të saj ndryshon vazhdimisht për shkak të proceseve natyrore që ndodhin në planet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›