Shkodër, vijon lirimi i hapësirave publike

TIRANË, 15 korrik /ATSH/ Në Shkodër po vijon aksioni kombëtar për lirimin e hapësirave publike.
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ndau në rrjete sociale momente nga aksioni që po zhvillohet për lirimin e trotuareve nga tavolinat dhe karriget që kanë vendosur bizneset duke krijuar vështirësi në përdorimin e këtyre hapësirave publike nga qytetarët.
Beci tha se, një pjesë e bizneseve kanë nisur lirimin vullnetar të hapësirave që u përkasin qytetarëve.
Ndërkohë që policia Bashkiake Shkodër, ka njoftuar të gjitha bizneset për lirimin vullnetar të këtyre hapësirave, në të kundërt do të veprohet sipas ligjit deri në lirimin e plotë të tyre.
Ndërhyrjet në Shkodër janë pjesë e aksionit të gjerë për lirimin e hapësirave publike në mbrojtje të komuniteteve. /j.p/