Shkolla “22 Tetori” në Berat hap dyert në shtator me mjedise moderne për një proces mësimor bashkëkohor

TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Shkolla e re “22 Tetori” në Berat është gati të mirëpresë nxënësit, duke sjellë një tjetër investim që e afron arsimin me standardet më të mira europiane.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga shkolla, e cila falë bashkëpunimit mes Ministrisë së Arsimit dhe bashkisë Berat do të ketë mjedise moderne, të sigurta dhe funksionale, të konceptuara për një proces mësimor bashkëkohor.
“Krahas klasave të reja, shkolla do të ofrojë laboratorë, bibliotekë, ambiente sportive, hapësira për artin dhe zejet, si edhe mjedise të dedikuara për zhvillimin e programit “Pas Shkolle”, duke krijuar më shumë mundësi që fëmijët të mësojnë, të eksperimentojnë, të krijojnë dhe të zhvillojnë talentet e tyre edhe përtej orëve të mësimit”, tha Rama.
Godina e re ka zëvendësuar strukturën ekzistuese dhe ofron standarde bashkëkohore me klasa të pajisura, laboratorë modernë, bibliotekë, sallë shumëfunksionale, dhomë mjeku, hapësira për nxënësit me aftësi ndryshe, palestër dhe ambiente sportive brenda e jashtë shkollës.
Arkitektura e godinës plotëson ansamblin e qendrës së qytetit, duke u harmonizuar me dy sheshet e reja, rrugën e rehabilituar me kalldrëm dhe gjimnazin e ri “Babë Dudë Karbunara”.
Aktualisht, në të gjithë vendin janë 42 kantiere ndërtimi të hapura në shkolla, ku po punohet së bashku me bashkitë për rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve të reja arsimore.
1 nga 7/k.s/a.f/