Shkolla profesionale “Kolin Gjoka”, Lezhë – qendër e rëndësishme për kurse dhe trajnime profesionale

Shkolla e mesme profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë, krahas përgatitjes së nxënësve në degë të ndryshme që lidhen me artin e të gatuarit, biznesin e turizmin, është kthyer në një qendër të rëndësishme të konkurseve dhe trajnimeve profesionale për t’u ardhur në ndihmë të papunëve dhe familjeve në nevojë.
Shërbimi Social pranë Bashkisë Lezhë, në bashkëpunim me World Vision dhe Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara, synojnë të ngrejnë një shërbim të ri të integruar të mbrojtjes sociale, aftësimit profesional e punësimit.
Në kursin e kuzhinierëve të rinj, shefi i kuzhinës Ndrekë Berisha për katër muaj ka bërë një punë mjaft cilësore në përgatitjen e tyre.
Ky program përfaqëson një qasje gjithëpërfshirëse në adresimin e sfidave të ngutshme social-ekonomike, përmes sistemeve të integruara të mbrojtjes sociale dhe nismave të targetuara të punësimit.
Drejtor i shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka” Lezhë, Bardh Dedgjonaj u shpreh se:
“Aktiviteti që po zhvillohet sot ka të bëjë me nisjen e kurseve për kuzhinë dhe aftësimin profesional.”
Erlisa Bashllari, menaxhere e projektit, u shpreh se ky projekt synon të pilotojë një nga skemat e nxitjes së punësimit për tre kategori kryesore që janë: personat me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuara dhe të rinjtë që nuk janë ende të angazhuar në punësim apo në arsimim.
Ndërsa Mirjeta Ramizi – Menaxhere programi UNDP Albania, theksoi se:
“Gjithë kjo mbështetje institucionale kaq e fortë ka si qëllim të ngrejë një model të ri shërbimi të integruar për familjen në nevojë.”
Gazetar : Rrok Lelçaj
/rtsh.al/