E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkon në 1400 numri i viktimave në Afganistan, tjetër tërmet lëkund vendin

Një tërmet tjetër, me magnitudë 5.5 ballë, tronditi Afganistanin juglindor të martën, duke shkaktuar frikë për dëme dhe shkatërrime të mëtejshme, pothuajse dy ditë pasi një tërmet i madh në të njëjtin rajon vrau më shumë se 1,400 njerëz dhe plagosi mijëra të tjerë.

Tërmeti i fundit ndodhi në një thellësi relativisht të vogël prej 10 km, në të njëjtin nivel me atë që goditi mesnatën e së dielës me një magnitudë prej 6 ballë. Ky ishte një nga tërmetet më të këqija të Afganistanit në vite, duke shembur shtëpi në fshatra të largëta.

Lëkundjet pasuese shkaktuan panik dhe ndaluan përpjekjet e shpëtimit, pasi shkëmbinj rrëshqisnin poshtë maleve, duke bllokuar rrugët dhe duke e bërë të rrezikshme gërmimin nëpër rrënoja, tha Safiullah Noorzai, i cili punon me Aseel, një platformë teknologjike humanitare me rrjete në të gjithë Afganistanin.

Terreni i vështirë i ka penguar shumë përpjekjet e ekipeve të shpëtimit në fshatrat e izoluara.

‘Reuters’ informon se çdo shtëpi u dëmtua ose shkatërrua, me vendasit që ende gërmonin nëpër rrënoja për të mbijetuar. Shumë njerëz ishin ende të bllokuar. Disa shtëpi të dëmtuara pjesërisht u shkatërruan nga tërmeti i dytë, sipas banorëve.

Të paktën 1,411 persona dihet se kanë vdekur deri më tani, 3,124 janë plagosur dhe më shumë se 5,400 shtëpi janë shkatërruar, tha zëdhënësi i administratës talebane, Zabihullah Mujahid.

Koordinatori i OKB-së në Afganistan tha se numri i të vdekurve me siguri do të rritet më tej.

Grupi i ndihmës Save the Children i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të lirojë urgjentisht fondet e emergjencës. Tërmeti ka ndërprerë burimet e ujit të pastër, duke rritur frikën e sëmundjeve dhe duke kufizuar aksesin në ushqim, tha grupi.

“Kjo tani është një garë me kohën për të shpëtuar jetë – për të nxjerrë njerëzit e plagosur nga fshatrat e largëta të izoluara nga rrëzimet masive të shkëmbinjve dhe për të siguruar ujë të pastër, ushqim dhe strehim”, tha Samira Sayed Rahman, Drejtoreshë e Programeve dhe Avokimit në Save the Children.

Afganistani është i prirur ndaj tërmeteve vdekjeprurëse, veçanërisht në vargmalin Hindu Kush, ku takohen pllakat tektonike indiane dhe euroaziatike. Provincat lindore të Kunar dhe Nangarhar u goditën më rëndë nga tërmeti i së dielës në mbrëmje.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›