Shkreli: Përmbytje në disa banesa në Vaun e Dejës

TIRANË, 26 tetor/ATSH/ Reshjet intensive të orëve të fundit kanë përkeqësuar situatën në territorin e bashkisë Vau i Dejës, ku janë regjistruar përmbytje në disa njësi administrative.
Kryetari i bashkisë, Kristian Shkreli, në një deklaratë për mediet bëri të ditur se rreth 100 banesa kanë prezencë uji, ndërsa dëmet më të mëdha paraqiten në sektorin blegtoral dhe bujqësor.
“Situata është mjaft e rëndë. Përroi i Glinës ka dalë nga shtrati dhe po shkakton përmbytje në gjithë qytetin e Vaut të Dejës. 100 shtëpi kanë prezencë uji dhe dëmet janë të konsiderueshme në bagëti, shpendë dhe në kosheret e bletëve. Shpresojmë që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve”, u shpreh Shkreli.
Sipas tij, përroi i Glinës vijon të jetë problematik.
Shkreli nënvizoi se të gjitha strukturat vendore janë në gatishmëri dhe po vijojnë punën në terren për të ndihmuar banorët dhe për të shmangur evakuimet e mundshme. /j.p/