Shorti i “Final 4”, Egnatia përballet me Partizanin, Vllaznia gjen Dinamo City-n

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo City do të jenë dy gjysmëfinalet e fazës “Final 4” në kampionatin “Abissnet Superiore”.
Shorti i hedhur sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” vuri përballë Egnatian kryesuese pas Javës së 36-të me Partizanin e vendit të katërt, ndërsa çifti tjetër është Vllaznia – Dinamo City.
Në shortin e organizuar nga Federata e Futbollit morën pjesë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidentë dhe përfaqësues të klubeve të kualifikuara në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias.
Në fjalën përshëndetëse të rastit, presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka tha se “tani jemi në fazën finale, ku do të përcaktohet edhe kampioni i këtij sezoni. U uroj shumë suksese të katër skuadrave që janë pjesëmarrëse në fazën finale. Dhe, duke qenë se do marrin pjesë edhe në Kupat e Europës, u uroj suksese në garat europiane. I gjithë futbolli shqiptar ka shumë nevojë që të kemi rezultate dhe të gjithë bashkë do t’i mbështesim të katër skuadrat në këto kompeticione.
Të shijojmë emocionet e Final 4 dhe të kemi një garë sa më kompetitive dhe sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit”.
Ndeshja e parë gjysmëfinale, Vllaznia – Dinamo City, do të luhet të dielën, më 4 maj, në orën 20:00. Ndërsa gjysmëfinalja e dytë, Egnatia – Partizani do të zhvillohet të hënën, më 5 maj, në orën 20:00.
Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Vllaznia.
Të gjitha ndeshjet e fazës “Final 4” do të luhen në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Shorti i hedhur sot në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” Abisnet Superiore, foto; Agim Dobi 1 nga 12