Shpërndante kokainë dhe kanabis, arrestohet 28-vjeçari në Livadhë

Një tjetër goditje ndaj shpërndarjes së drogës në zonat turistike të Vlorës është realizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Himarë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Night Strike”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi M. P., 28 vjeç, banues në Elbasan, i cili u kap në fshatin Livadhë, Himarë, duke shpërndarë lëndë narkotike.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij në dhomën ku 28-vjeçari ishte akomoduar, Policia sekuestroi si provë materiale:
rreth 120 doza me lëndë narkotike të dyshuar si kokainë;
rreth 65 doza me lëndë narkotike të dyshuar si kanabis;
një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal.
Hetimet paraprake tregojnë se i arrestuari përgatiste lëndët narkotike në dhomën e tij dhe më pas i shpërndante në zonat turistike buzë detit, të frekuentuara nga pushues vendas dhe të huaj.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për vijimin e mëtejshëm të procedurave ligjore.
Policia e Vlorës deklaron se kontrollet do të vijojnë me intensitet përgjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
/vizionplus.tv