Shpërthen bombola e gazit në Tiranë, plagoset pronari dhe punonjësi i biznesit

Një shpërthim bombole gazi është regjistruar paraditen e kësaj të enjte (4 dhjetor) pranë një biznesi te “Rruga e Kavajës” në kryeqytet.
Ngjarja ka ndodhur në ambientet e brendshme të një picerie aktualisht jofunksionale, ku ka mbetur i plagosur pronari i biznesit dhe punonjësi, të cilët janë dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Bombolat e gazit kanë qenë të instaluar në katin -1, ndërsa kanë qenë të lidhura me katin sipër përmes tubave. Mësohet se pronari dhe punonjësi teksa janë futur brenda ambienteve të biznesit, nuk kanë kuptuar aromën e gazit dhe kanë vijuar me punën. Ka qenë një shkëndijë që ka nxitur shpërthimin, i cili la të plagosur 40-vjeçarin dhe 28-vjeçarin.
Nga ngjarja janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme. Policia dhe shërbimet zjarrëfikëse kanë mbërritur në vendngjarje.
“Rreth orës 11:20, në Rrugën e Kavajës, te kompleksi “Delijorgji”, në një ambient aktualisht jofunksional, dyshohet se ka shpërthyer një bombol gazi.
Si pasojë janë dëmtuar pronari i ambientit, shtetasi B. D., rreth 40 vjeç, dhe punonjësi i tij, shtetasi K. B., rreth 28 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
/rtsh.al/