Shpërthimi i makinës në Gramsh aksidental, zbardhet ngjarja: Vëllezërit kishin lëndë plasëse në kroskot, dyshohet se përdorej për peshkim

Zbardhet ngjarja e ndodhur në Gramsh pasditen e sotme, ku nga shpërthimi i një automjeti në ecje mbetën të plagosur dy vëllezër, Algert dhe Erald Mine. Fillimisht u dyshua se bëhej fjalë për një atentat, por nga ekspertiza paraprake është vërtetuar se lënda plasëse nuk është vendosur nga jashtë, por ka qenë brenda mjetit.
Dyshohet se të rinjtë e kishin me vete në kroskot. Po sipas ekspertizës, lënda plasëse nuk është tritol, por e ngjashme me lëndët plasëse që përdoret për peshkim. Kjo vërtetohet edhe nga plagët që kanë marrë dy vëllezërit, pasi nëse do të ishte tritol dëmet do të ishin më të mëdha.
“Në lidhje me informacionin e dhënë për një shpërthim të ndodhur në lagjen “Xhile Liçi”, Gramsh, në automjetin tip “Ford Focus”, që drejtohej nga shtetasi A. M., gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje dhe për pasojë mbetën të dëmtuar dy vëllezërit që udhëtonin në këtë automjet, ju informojmë se:
Për sqarimin dhe dokumentimin e këtij rasti u ngrit një grup i posaçëm hetimor dhe në vendngjarje shkoi edhe njësia antieksploziv e Repartit Special Renea, për të kryer ekzaminime të mekanizmit e rrethaneve qe kishin ndikuar në shpërthimin e ndodhur në automjet.
Në përfundim të veprimeve të para, rezultoi se nuk ka pasur shpërthim nga jashtë të automjetit (pra nuk kemi të bëjmë me lëndë eksplozive) por dyshohet se drejtuesi i automjetit ka pasur në kroskotin e automjetit lëndë plasëse të dyshuar Amonit Malor, me fuqi të ulët veprimi, lëndë e cila dyshohet se ka shpërthyer për shkak të nxehtësisë.
Nga tërësia e veprimeve të kryera rezulton se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale dhe nuk ka asnjë indicje për veprim kriminal ndaj të dëmtuarëve”, njoftoi policia.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën për sqarimin e dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.