E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërthimi në Greqi, vdes edhe shqiptari tjetër/ Tragjedia në “Motor Oil”, arrestohen katër punonjës të kompanisë

Tragjedia në rafinerinë greke të kompanisë Motor Oil rëndohet më tej, duke humbur jetën edhe shqiptari tjetër.

Dorian Hysa, 50 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë të premten, ndërroi jetë këtë të diel në spitalin “Thriasio” të Elefsinës, ku ndodhej i intubuar, me dëmtime të rënda në kokë.

Nga shpërthimi humbi jetën në vendin e ngjarjes edhe Robert Cakaj, 43 vjeç, ndërsa një punëtor i tretë pësoi probleme të lehta me frymëmarrjen.

Fillimisht, dy punëtorët e plagosur rëndë u transportuan në spitalin e Korinthit, por për shkak të gjendjes kritike u dërguan më pas në Elefsinë. Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, Hysa nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.

Ndërkohë, autoritetet greke vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të shpërthimit dhe verifikimin e masave të sigurisë gjatë punimeve të mirëmbajtjes në rafineri.

Në kuadër të hetimeve janë arrestuar katër persona: kontraktori i punimeve dhe tre drejtues të përfshirë në mbikëqyrjen e projektit, mes tyre përgjegjësi i sektorit të shëndetit dhe sigurisë. Autoritetet po hetojnë për të përcaktuar përgjegjësitë për aksidentin tragjik.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›