E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunim doganor në shërbim të tregtisë dhe bizneseve

TIRANË, 10 shkurt /ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganës Shqiptare, Besmir Beja priti sot në një takim drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, takimi i parë zyrtar i Drejtorit të Përgjithshëm që prej marrjes së detyrës.

Në një njoftim, Dogana Shqiptare bën me dije se gjatë bashkëbisedimit u vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira dhe bashkëpunimi i qëndrueshëm ndër vite mes dy administratave doganore, me rezultate konkrete në lehtësimin e procedurave dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Prezenca e Doganës së Kosovës në Portin e Durrësit dhe funksionimi i pikës unike One Stop Shop në Morinë janë cilësuar si vlera të shtuara për ekonominë e të dy vendeve, duke kursyer kohë dhe kosto për bizneset dhe duke rritur fluksin e mallrave dhe pasagjerëve.

Drejtori i Doganës së Kosovës theksoi se hapja e Zyrës Doganore në Portin e Durrësit përfaqëson një arritje të rëndësishme për ekonominë e Kosovës, duke krijuar lehtësi reale për operatorët ekonomikë dhe duke rritur konkurrueshmërinë e tyre.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganës Shqiptare e vuri theksin te proceset e digjitalizimit, si një element kyç për thjeshtimin e procedurave, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e shërbimit ndaj bizneseve, si dhe te bashkëpunimi në hetimet e përbashkëta dhe lufta kundër paligjshmërisë.

Takimi rikonfirmoi angazhimin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit doganor në funksion të lehtësimit të tregtisë, sigurisë dhe zhvillimit ekonomik të dy vendeve.

/e.i/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›