Shqipëri-Kroaci marrëveshje për bashkëpunim dhe forcim të sigurisë në fushën e aviacionit civil

TIRANË, 28 shtator /ATSH/ Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar dhe Autoriteti i Aviacionit Civil Kroat nënshkruan sot në Tiranë një marrëveshje mirëkuptimi, me synim forcimin e bashkëpunimit institucional dhe shkëmbimin e përvojave në fushën e aviacionit civil.
Marrëveshja krijon një kuadër bashkëpunimi për shkëmbimin e përvojave dhe praktikave të mira, zhvillimin e kapaciteteve profesionale, bashkëpunimin teknik, si dhe forcimin e mbikëqyrjes së sigurisë në aviacionin civil.
Sipas Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, marrëveshja mbështet objektivat për ruajtjen e standardeve të larta të sigurisë, zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit dhe integrimin e mëtejshëm në sistemin europian të aviacionit.
Kroacia, si vend anëtar i Bashkimit Europian, sjell në këtë bashkëpunim përvojën e saj në zbatimin e kuadrit rregullator europian në fushën e aviacionit civil.
Marrëveshja synon të krijojë një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim ndërmjet dy autoriteteve, përmes ndarjes së njohurive, praktikave profesionale dhe përvojës teknike.
Sipas AAC-së, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe institucional është një element i rëndësishëm për adresimin e sfidave të aviacionit civil dhe për konsolidimin e standardeve europiane në këtë sektor.
/e.i/r.e/