E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria anëtarësohet në ICCSW, AKSK: Vendi i parë në rajon që bëhet pjesë e koalicionit ndërkombëtar për sigurinë kibernetike

Shqipëria është bërë vendi i parë në rajon që anëtarësohet në International Coalition on Cyber Security Workforces (ICCSW), një koalicion ndërkombëtar i dedikuar zhvillimit të kapaciteteve profesionale në fushën e sigurisë kibernetike.

Lajmi u bë i ditur nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), i cili e cilësoi anëtarësimin si një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Shqipërisë në ekosistemin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike.

ICCSW udhëhiqet nga Departamenti Britanik për Shkencë, Inovacion dhe Teknologji (DSIT) dhe bashkon qeveri, institucione dhe organizata që punojnë për ndërtimin dhe ruajtjen e një force pune të kualifikuar dhe të qëndrueshme në sektorin e sigurisë kibernetike.

Koalicioni fokusohet në krijimin e një terminologjie të përbashkët për aftësitë profesionale, shkëmbimin e praktikave më të mira, përcaktimin e standardeve minimale të cilësisë për profesionistët e fushës, si edhe rritjen e ndërveprueshmërisë mes kuadrove kombëtare të sigurisë kibernetike.

Sipas AKSK-së, anëtarësimi në ICCSW mbështet vizionin e qeverisë shqiptare për ta shndërruar Shqipërinë në një qendër rajonale të dijes dhe ekspertizës në sigurinë kibernetike.

Përmes këtij bashkëpunimi, Shqipëria do të kontribuojë në hartimin e standardeve dhe qasjeve të përbashkëta ndërkombëtare, do të shkëmbejë ekspertizë me vendet anëtare të koalicionit dhe do të forcojë më tej përgatitjen profesionale të specialistëve shqiptarë në fushën e sigurisë kibernetike.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›