“Shqipëria bëhet” rikthen çadrën para Kryeministrisë, përplasje me policinë

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj vendosi sërish këtë mbrëmje një çadër proteste para godinës së Kryeministrisë, ndërsa gjatë veprimeve për vendosjen e saj u shënuan përplasje mes mbështetësve të tij dhe efektivëve të Policisë së Shtetit.
Lapaj paralajmëroi se përpara godinës së Kryeministrisë do të vendosen edhe çadra të tjera në vijim, si pjesë e protestës së nisur nga mbështetësit e Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”.
Policia e Shtetit ndërhyri për të larguar çadrën e vendosur nga protestuesit, ndërsa situata u shoqërua me tensione dhe përplasje mes palëve.
Në ditët e para të kësaj proteste, policia kishte sekuestruar çadrat që protestuesit vendosën para godinës së Kryeministrisë, duke argumentuar se vendosja e tyre ishte në kundërshtim me rregullat për përdorimin e hapësirave publike.
Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Lapaj u shpreh se prokuroria ka vendosur mosfillimin e procedimit penal lidhur me çështjen e çadrave.
Sipas tij, ky vendim i jep të drejtë lëvizjes “Shqipëria Bëhet” që të vendosë sërish çadra në shenjë proteste para Kryeministrisë.
Protesta e mbështetësve të kësaj lëvizjeje po zhvillohet prej disa ditësh përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
/r.e/a.f/