E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria e vajzave shkruan historinë, siguron play-off-in e Botërorit 2027

SHKODËR, 9 qershor /ATSH/ – Kombëtarja shqiptare e vajzave arriti një sukses historik, duke mposhtur Malin e Zi me rezultatin e thellë 5-2 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe duke siguruar kualifikimin në raundin e parë të play-off-it të Botërorit “Brazil 2027”.

Skuadra e drejtuar nga Armir Grima zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse, duke përmbysur dy herë disavantazhin dhe duke dominuar takimin përballë tifozëve kuqezi.

Ndeshja nisi me Shqipërinë në sulm, me Fortesa Berishën që goditi traversën që në minutën e 4-t dhe me disa raste të tjera të pastra për shënim. Megjithatë, ishin mikeshat që kaluan të parat në avantazh në minutën e 20-të.

Reagimi i kuqezinjve ishte i menjëhershëm. Kapitenia Megi Doçi fitoi një penallti, ndërsa portierja malazeze u ndëshkua me karton të kuq. Vetë Doçi u tregua e saktë nga pika e bardhë, duke barazuar rezultatin në 1-1 në minutën e 22-të.

Pavarësisht rasteve të shumta të Shqipërisë, Mali i Zi shënoi sërish në fundin e pjesës së parë. Por Fortesa Berisha riktheu menjëherë baraspeshën, duke finalizuar një aksion të bukur të ndërtuar nga Megi Doçi dhe Klea Hamonikaj për rezultatin 2-2.

Në pjesën e dytë, vajzat kuqezi morën plotësisht kontrollin e lojës. Në minutën e 63-të, Megi Doçi realizoi golin e avantazhit me një goditje të bukur nga distanca, ndërsa katër minuta më vonë Gresa Berisha çoi shifrat në 4-2 pas asistit të Ezmiralda Franjës.

Shqipëria vulosi fitoren në minutën e 70-të, kur Arbiona Bajraktari shënoi golin e pestë, sërish me asist të Franjës, duke mbyllur një mbrëmje historike me rezultatin përfundimtar 5-2.

Falë kësaj fitoreje, Kombëtarja shqiptare e vajzave siguron kualifikimin në play-off-in e Botërorit 2027, konfirmon qëndrimin në Ligën B dhe vendos një rekord të ri, duke grumbulluar për herë të parë 7 pikë në një grup të Ligës B.

Një tjetër arritje e rëndësishme për futbollin e vajzave në Shqipëri, që vijon të shënojë progres dhe të shkruajë histori.

/e.i/j.p/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›