Shqipëria fiton 3-0 ndaj San Marinos, kuqezinjtë marrin kryesimin e grupit

TIRANË, 29 shtator/ATSH/ – Shqipëria mundi me rezultatin 3-0 San Marinon në transfertë dhe merr kryesimin e Grupit 1 të Ligës së Kombeve, duke udhëhequr me 6 pikë të plota, 2 më shumë se Finlanda dhe 3 më shumë se Bjellorusia.
Kuqezinjtë dominuan në “San Marino Stadium”. Të besuarit e Maran gjetën avantazhin në minutën e 21-të përmes Anis Mehmetit, ndërsa goli i dytë u shënua pesë minuta më vonë nga Myrto Uzuni, i cili dërgoi topin në rrjetë pas një pasigurie të portierit vendas. Ky i fundit nuk arriti të largonte siç duhet topin e ardhur pas një goditjeje dënimi në hyrje të zonës.
Goli i tretë dhe i fundit i ndeshjes u shënua në pjesën e dytë, në minutën e 56-të, nga Rey Manaj, duke mbyllur përfundimisht çdo shpresë të ekipit vendas.
Trajneri Rolando Maran i besoi sot një formacioni agresiv, me rreshtimin 4-3-3. Rey Manaj në sulm u mbështet nga Uzuni dhe Mehmeti. Në mesin e fushës, Asllani, Shehu dhe Muçi orkestruan manovrën ofensive, teksa ndihmuan edhe repartin e mbrojtjes.
Në mbrojtje, Mitaj u rikthye në formacion në krahun e majtë, ndërsa Samuele Sina debutoi në të djathtë, në vend të Hysajt. Në qendër luajti dyshja Ismajli-Gjimshiti.
Në portë, gardiani Alen Sherri, i cili i zuri vendin Berishës në formacionin titullar, ishte thuajse gjatë gjithë lojës i pashqetësuar.
Turni i tretë:
Finlanda-Shqipëri (3 Tetor) 15:00
Bjellorusi-San Marino (3 Tetor) 18:00
/r.e/a.f/