Shqipëria humb talentin 18-vjeçar, Kosova merr nga kuqezinjtë sulmuesin i cili luan te Stuttgart

Frika se Shqipëria mund ta humbiste tashmë është bërë realitet. Talenti Enis Rexhepi, i cili është pjesë e Sttutgart në Gjermani, është grumbulluar nga Kosova për dy ndeshjet e ardhshme në Ligën e Kombeve. 18-vjeçari ka qenë më parë pjesë e Shqipërisë U-19, duke mbajtur veshur fanellën kuqezi në arenën ndërkombëtare. Megjithatë, tashmë rrugëtimi i tij pritet të vazhdojë me Kosovën, e cila ka arritur të bindë një tjetër futbollist me perspektivë për t'iu bashkuar projektit të saj.
Rexhepi po kalon një periudhë fantastike te Stuttgart, ku po spikat me golat dhe paraqitjet e tij, përfshirë edhe në UEFA Youth League. Një sulmues me potencial të madh, i cili mund të bëhet një emër i rëndësishëm në futbollin europian.
Largimi i Rexhepit është një sinjal që duhet të shqetësojë Shqipërinë: Kosova po lëviz, po investon dhe po afron emra premtues, ndërsa Shqipëria rrezikon të shohë talentet e saj të zgjedhin një tjetër fanellë kombëtare.


Kosova dy ndeshjet e fundit të grupit në Ligën e Kombeve i luan me 14 nëntor kundër Izraelit në Prishtinë dhe me 17 nëntor kundër Irlandësn ë Dublin.