Shqipëria konsolidon politikat për SME-të – Ibrahimaj: 250 milionë euro për biznesin, nxitje për investime dhe punësim

Banka e Shqipërisë, së bashku me qeverinë dhe sistemin bankar, nënshkroi më 13 maj partneritetin e ri për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM) “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”. Ky program synon të mbështesë bizneset shqiptare, të nxisë zhvillimin ekonomik dhe të krijojë më shumë mundësi për sipërmarrësit. Në këtë aktivitet ishte e pranishme Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila dha disa deklarata të zgjeruara mbi rëndësinë e programit dhe vizionin e qeverisë për sipërmarrjen shqiptare.
Duke iu referuar raportit më të fundit të OECD-së, “SME Policy Index 2025”, ministrja theksoi: “Shqipëria vijon të konsolidojë politikat mbështetëse për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME).”
Ajo shtoi se ky vlerësim konfirmon përkushtimin e institucioneve shqiptare për të forcuar më tej ekosistemin e sipërmarrjes: “Ne i japim prioritet inovacionit, cilësisë dhe qëndrueshmërisë si shtylla kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. 99% e ndërmarrjeve shqiptare kategorizohen si të vogla dhe të mesme, ndaj ky program është një hap shumë i rëndësishëm për të rritur aktivitetin e tyre dhe për të garantuar që rritja ekonomike të vijojë me ato nivele, pse jo të jetë edhe më e lartë.”
Duke folur për ecurinë e ekonomisë, Ibrahimaj nënvizoi: “Në vitet e fundit Shqipëria ka përjetuar një rritje të stabilizuar në marzhet nga 3.5 deri në 4%. Shqipëria është shteti në Ballkanin Perëndimor që ka rritjen më të shpejtë. Kjo bëhet nëpërmjet forcimit dhe krijimit të instrumenteve të duhura për të mbështetur sektorin privat që të vijojë të rrisë investimet.”
Ministrja e lidhi këtë nismë me perspektivën europiane të vendit: “Sot kemi një potencial të jashtëzakonshëm të anëtarësimit në BE dhe krijimit të kushteve për bizneset shqiptare që të integrohen në tregun europian me mbi 450 milion banorë. Për ta bërë këtë të mundur, kemi edhe sfida të mëdha që lidhen me arritjen e standardeve dhe nxitjen e eksporteve.”
Në përmbyllje të fjalës së saj, Ibrahimaj e përkufizoi nënshkrimin e memorandumit si një hap konkret drejt forcimit të sipërmarrjes shqiptare: “Ky është qëllimi i këtij memorandumi – të dyfishojmë sipërmarrjen tonë dhe të garantojmë që bizneset shqiptare të jenë pjesë e një tregu më të madh dhe më konkurrues.”
Ministrja nënvizoi gjithashtu rritjen e qëndrueshme ekonomike të vendit: “Shqipëria ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike në nivelet 3,5-4% dhe është vendi në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të shpejtë ekonomike.”
Sipas saj, objektivi i qeverisë është që kjo rritje të vijojë dhe të përshpejtohet përmes mbështetjes së sektorit privat: “Qëllimi ynë është që kjo rritje të vazhdojë dhe të rritet, duke mbështetur sektorin privat dhe duke nxitur investimet.”
Ibrahimaj theksoi gjithashtu potencialin që ofron procesi i integrimit në Bashkimin Evropian për bizneset shqiptare: “Sot kemi një potencial të madh nga procesi i anëtarësimit në BE dhe krijimi i kushteve që biznesi shqiptar të përshtatet me tregun e BE-së me mbi 450 milionë banorë. Kjo është një mundësi e madhe, por shoqërohet edhe me sfida për arritjen e standardeve dhe rritjen e eksporteve.”
Duke folur për memorandumin, ministrja bëri të ditur se ai parashikon krijimin e një instrumenti financiar për mbështetjen e bizneseve: “Qëllimi i memorandumit është ndërtimi i një instrumenti kredie, i mbështetur nga Banka e Shqipërisë me një likuiditet prej 250 milionë euro, që do të vihet në dispozicion përmes sektorit bankar për bizneset shqiptare, me norma më të ulëta interesi.”
Ajo shtoi se skema do të mbështetet edhe nga Ministria e Financave përmes një garancie sovrane: “Ky instrument financiar do të mbështetet nga Ministria e Financave me një garanci sovrane, që do t’u mundësojë bizneseve të marrin kredi me mbulim deri në 70% të kolateralit.”
Sipas Ibrahimajt, ky mekanizëm synon të përfshijë sektorë të ndryshëm të ekonomisë, përfshirë bujqësinë dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme: “Kjo mbështetje do të nxisë investimet në asete dhe do të ndihmojë bizneset shqiptare të arrijnë standardet e kërkuara për të qenë konkurruese në tregjet ndërkombëtare.”
/rtsh.al/