E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në Forumin Global të OECD për luftën kundër korrupsionit dhe integritetin

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Shqipëria mori pjesë në Forumin Global të OECD për Luftën Kundër Korrupsionit dhe Integritetin 2026, që u zhvillua në Paris, njoftoi Departamenti i Administratës Publike (DAP).

Në këtë forum, vendi u përfaqësua nga Marcela Kërëku, drejtore e Drejtorisë së Integritetit, Mbikëqyrjes dhe Ankesave Administrative e Gjyqësore pranë DAP, e cila kontribuoi në diskutimet mbi rolin e integritetit si faktor kyç për konkurrueshmërinë dhe zhvillimin.

Gjatë sesionit me temë “Avantazhi i integritetit: Integriteti në sektorin publik përmes trajnimit”, u theksua rëndësia e trajnimeve në sektorin publik dhe përdorimit të kurseve online për forcimin e etikës dhe integritetit të nëpunësve civilë, si pjesë e reformave për një administratë më efikase, transparente dhe të përgjegjshme.

Diskutimet në forum trajtuan gjithashtu lidhjen midis integritetit në sektorin publik, thjeshtimit të procedurave administrative dhe ndikimit të tyre në përmirësimin e klimës së biznesit dhe zhvillimin ekonomik, veçanërisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Shqipëria mori pjesë në këtë aktivitet në bashkëpunim dhe me mbështetjen e ReSPA.

/gj.m/r.e/j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›