E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nën pushtetin e zjarreve, autoritetet thirrje banorëve për evakuim, ministri Vengu mbërrin në Gramsh

Situata e zjarreve në vendin tonë paraqitet mjaft problematike ku më e rënduar duket në zonën mes Gramshit dhe Skraparit, ku është dashur edhe evakuimi i disa prej banorëve për arsye sigurie, ndërsa forcat zjarrfikëse janë në luftë me flakët.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka mbërritur në Harunas të Gramshit ku ju është bashkuar Forcave të Armatosura dhe atyre zjarrfikëse në terren për të monitoruar situatën pas zjarreve.

Ndërkohë që Drejtoria e Policisë Elbasan iu bën thirrje të gjithë banorëve të fshatrave që rrezikohen nga zjarri, të bashkëpunojnë me punonjësit e Policisë, me kryetarët e fshatrave dhe të njësive administrative, si dhe me Emergjencat Civile, me qëllim që të largohen nga zona e rrezikut të zjarrit.

Të gjithë inspektorët e Policisë së zonave janë në kontakt të pandërprerë me kryetarët e fshatrave dhe të njësive administrative, për të telefonuar çdo banor, për t’iu shkuar në ndihmë në rast nevoje, si dhe për t’i larguar nga zona e rrezikut.

Shërbime të shumta të Policisë të DVP Elbasan, të Komisariatit të Policisë Gramsh dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile dhe me zjarrfikësit, për të evakuuar banorët dhe për të neutralizuar flakët e zjarrit.

Ndërkohë, grupe hetimore dhe shërbime policore po kontrollojnë të gjithë zonën e prekur nga zjarri.

Shërbimet zjarrfikëse, Emergjencat Civile, punonjësit e Policisë dhe helikopterët po punojnë intensivisht për të neutralizuar dhe shuar zjarrin.

Policia apelon edhe një herë për banorët, që të largohen nga zonat e prekura nga zjarri dhe të bashkëpunojnë me shërbimet policore, me Emergjencat, me pushtetin vendor dhe me çdo strukturë shtetërore që ndodhet në terren.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›