E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria nis javën anti-Serbi, kuqezinjtë plotësohen në organike, Sylvinjo vlerëson gjëndjen e lojtarëve

Ndonëse puna me një pjesë të kuqezinjve ka vijuar prej ditësh në Durrës, vetëm sot Kombëtarja shqiptare do të nisë zyrtarisht javën e ndeshjes së rëndësishme anti-Serbi, e cila luhet të shtunën në Tiranë.

Tekniku Silvinjo do të ketë në dispozicion edhe emra si Berat Gjimshiti, Qazim Laçi, Arlind Ajeti, Mario Mitaj, Myrto Uzuni dhe Ernest Muçi. I vetmi për të cilin do të bëhet një përjashtim për shkak të distancës së largët dhe angazhimit me klubin e tij në Korenë e Jugut është Jasir Asani, i cili do të mbërrijë të martën.

Seanca e parë e javës anti-Serbi do të zhvillohet në Shtëpinë e Futbollit, ndryshe nga ato që janë mbajtur në Durrës gjatë këtyre ditëve, përfshirë edhe një test të brendshëm kontrolli. Meraku kryesor i Silvinjos është gjendja e lojtarëve, mënyra sesi vijnë në aspektin fizik në përfundim të sezoneve me klubet e tyre.

Ndeshja e të shtunës në Arenën Kombëtare kundër Serbisë është e një rëndësie të veçantë në të gjitha dimensionet, por mbi të gjitha në aspektin sportiv, pasi serbët janë rivali ynë kryesor për vendin e dytë në grup dhe një ndeshje në Tiranë mund të jetë menjëherë vendimtare për atë që mund të marrim nga kualifikueset e Botërorit.

/vizionplus.tv

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›