Shqipëria parashikon 5 mijë pika grumbullimi për bateritë, pasaportë digjitale dhe kod QR për gjurmimin e tyre - ATSH -
TIRANË, 2 nëntor /ATSH/ Krijimi i një rrjeti kombëtar me rreth 5 mijë pika grumbullimi për bateritë portative dhe vendosja e një skeme financimi nga prodhuesit dhe importuesit, janë pjesë e ndryshimeve që parashikon projektvendimi për menaxhimin e baterive dhe mbetjeve të tyre, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Mjedisit.
Sistemi i ri synon të mbulojë të gjitha fazat e ciklit të baterive, duke nisur nga vendosja në treg dhe etiketimi, deri te mbledhja, transporti, trajtimi dhe riciklimi i tyre. Sipas parashikimeve të relacionit shoqërues, shpenzimet vjetore për funksionimin e skemës do të arrijnë në rreth 5,43 milionë euro në vitin 2036, nga rreth 700 mijë euro që parashikohen për vitin 2027.
Të dhënat e projektit tregojnë se në tregun shqiptar janë vendosur rreth 7 423 tonë bateri gjatë vitit 2026, ndërsa deri në vitin 2035 kjo sasi pritet të rritet në 10 292 tonë. Peshën kryesore e zënë bateritë e automjeteve për ndezje dhe ndriçim, me 69% të tregut, të ndjekura nga bateritë portative me 16% dhe ato industriale me 11%.
Për ngritjen e infrastrukturës së grumbullimit të baterive portative parashikohen investime fillestare prej 250-350 mijë eurosh, ndërsa pajisjet për grumbullimin dhe transportin kërkojnë një financim shtesë prej 130-162,5 mijë eurosh.
Sipas relacionit, barra financiare e zbatimit do t’u takojë prodhuesve, importuesve dhe organizatave të përgjegjësisë së zgjeruar të prodhuesit, përmes kontributeve të tyre, pa parashikuar financim të drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit për proceset e grumbullimit dhe riciklimit.
Projektvendimi parashikon kërkesa të reja për deklarimin e gjurmës së karbonit, përdorimin e materialeve të ricikluara dhe etiketimin e baterive. Një tjetër element është pasaporta digjitale e baterisë, e cila do të mundësojë aksesin në informacionin përkatës përmes kodit QR.
Nisma synon përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me Rregulloren e Bashkimit Europian dhe përfshin bateritë portative, industriale, të automjeteve, përfshirë ato elektrike, si dhe bateritë për mjetet e lehta të transportit.
/e.i/a.f/r.e/
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
