Shqipëria përgatitet për koncertin e Kanye West/Nis ndërtimi i stadiumit provizor në Kashar

Blendi Gonxhja ka bërë të ditur nisjen e punimeve në zonën e Kashar, ku po ngrihet një stadium provizor për të pritur një nga eventet më të mëdha muzikore të planifikuara në vend.
Sipas postimit të ministrit, infrastruktura po ndërtohet për të akomoduar spektaklin e artistit botëror Kanye West, i cili pritet të zhvillohet më 11 korrik në Tiranë.
Gonxhja e cilëson projektin si një produksion të standardeve globale, i cili synon të sjellë vëmendje të madhe ndërkombëtare për Shqipërinë dhe ta pozicionojë vendin në hartën e eventeve të mëdha muzikore dhe kulturore.
Sipas tij, organizimi i një eventi të këtij niveli nuk përfaqëson vetëm një moment artistik, por edhe një mundësi për promovimin e turizmit, rritjen e imazhit të vendit dhe ndikim pozitiv në ekonominë lokale, përmes industrisë së muzikës dhe argëtimit.
Koncerti i Kanye West konsiderohet një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri, duke tërhequr vëmendje të gjerë si në rajon ashtu edhe në skenën ndërkombëtare.