Shqipëria pret dy Evropianë basketbolli për të rinj në Shkodër dhe Tiranë

TIRANË, 4 korrik /ATSH/ Në Shkodër nis të shtunën (5 korrik) Evropiani i basketbollit për 16-vjeçarët, Divizioni C, që kulmon me finalen e 13 korrikut.
Shqipëria debuton ndaj Maltës, ndërsa në Grupin A janë edhe Moldavia e Armenia.
“Këtë vit jemi edhe kryeqyteti europian i sportit, ky aktivitet ndërkombëtar është si qershia në tortë. Kemi marrë të gjitha masat që një javë çdo gjë të shkojë sa më mirë”, tha Aron Miloti, drejtor i sporteve në Bashkinë Shkodër.
Më pas Tirana mirëpret Kampionatin Evropian U18 për Djem – Divizioni C, nga data 19 deri më 27 korrik në Pallatin e Sportit “Feti Borova”. Ky është viti i gjashtë radhazi që Shqipëria organizon një kampionat evropian për të rinjtë, dhe viti i dytë që mikpret dy evente të tilla brenda një vere. Në këtë edicion do të marrin pjesë 10 ekipe, që do të zbresin në parket për një javë plot rivalitet dhe pasion.
“Vjet me U-16 arritëm medalje argjendi, por nuk u vëmë presion lojtarëve. Ndërsa me U-18 jemi pretendentë për titullin”, u shpreh Franko Bushati, sekretar i Federatës së Basketbollit.
/gj.m//r.e//a.f/