Shqipëria pret për herë të parë Forumin Europian të Rregullatorëve të Medias

TIRANË, 20 maj /ATSH/ Shqipëria do të jetë për herë të parë mikpritëse e një prej forumeve më të rëndësishme europiane në fushën e rregullimit të medias audiovizive.
Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) organizon në Tiranë, më 21–22 maj, mbledhjen e 63-të të Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore (EPRA), një aktivitet që konsiderohet ndër më gjithëpërfshirësit dhe më të rëndësishmit e zhvilluar ndonjëherë nga AMA.
Në prag të nisjes së punimeve, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, priti në ambientet e institucionit Bordin e EPRA-s, të përbërë nga kryetarja Stephanie Comey, nënkryetarët Valentin-Alexandru Jucan, Stanislav Matějka, Anthony Szynkaruk dhe Branko Boskovic, si edhe shefen e Sekretariatit të EPRA-s, Emmanuelle Machet, së bashku me Claire Marchal.
Krasniqi e cilësoi këtë ngjarje një moment të rëndësishëm për Shqipërinë dhe për institucionet shqiptare të medias.
“Për herë të parë, Shqipëria do të mirëpresë një nga forumet më të rëndësishme europiane të rregullimit të medias. Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, në cilësinë e entit organizator, pret në Tiranë takimin e 63-të të Platformës Europiane të Autoriteteve Rregullatore”, u shpreh ajo.
Krasniqi uroi mirëseardhjen e delegacioneve europiane në Shqipëri, duke e cilësuar këtë takim një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimin e eksperiencave në fushën e medias audiovizive.
Takimi i nivelit të lartë do të mbledhë përfaqësues të 45 autoriteteve rregullatore nga 41 vende europiane, si dhe institucione e organizata të rëndësishme ndërkombëtare, mes tyre Council of Europe, Organization for Security and Co-operation in Europe, Observatori Europian Audiovizual, Bordi Europian i Shërbimeve Mediatike, Netflix, Platforma 3Cat dhe Forumi Europian për Aftësinë e Kufizuar.
Gjatë dy ditëve të punimeve do të diskutohen sfidat kryesore me të cilat përballet sot mjedisi mediatik europian, zhvillimet teknologjike dhe roli i enteve rregullatore në garantimin e standardeve të medias dhe mbrojtjen e interesit publik.
1 nga 7/e.xh/a.f/r.e/