Shqipëria synon rritjen e investimeve amerikane

TIRANË, 9 dhjetor/ATSH/ Në kuadër të nismës “Investor Support Days 2025”, Agjencia për Investime dhe Zhvillim (AIDA) organizoi sot takimin e dedikuar për investitorët amerikanë, në bashkëpunim me Dhomën Amerikane të Tregtisë (AmCham).
Tryeza bashkoi përfaqësues të institucioneve shqiptare dhe bizneseve amerikane, të cilët diskutuan mbi mundësitë e reja të investimeve në sektorë strategjikë si energjia, turizmi, teknologjia dhe shërbimet profesionale. U theksua potenciali i tregut shqiptar, procedurat e thjeshtuara për biznesin dhe shërbimet 100% online.
Drejtoresha Ekzekutive e AIDA-s, Laura Saro, nënvizoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me sektorin privat dhe angazhimin e agjencisë për adresimin e çështjeve të ngritura nga investitorët.
Ndërsa zv. ministri i Financave, Andi Mehmeti, evidentoi avantazhet konkurruese të Shqipërisë, përfshirë harmonizimin e legjislacionit me Bashkimin Europian deri në vitin 2027, stabilitetin ekonomik dhe mbështetjen nga Plani i Rritjes i Ballkanit Perëndimor.
Përfaqësuesit e bizneseve amerikane dhanë rekomandime për përmirësimin e klimës së investimeve, duke theksuar nevojën për harmonizim ligjor me BE-në, rritje të transparencës, konsultime publike më efektive, luftë kundër korrupsionit dhe modernizim të sistemit të regjistrimit të bizneseve.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit me rreth 140 kompanitë amerikane që operojnë në Shqipëri dhe krijimit të një mjedisi më të favorshëm për investime të reja. /j.p/
1 nga 7