Shqipëria, vlerësim pozitiv në raportin “Liria në botë 2026”, Rama: Kryesuese në rajon

TIRANË, 22 mars/ATSH/ Shqipëria ka marrë vlerësim pozitiv në raportin ndërkombëtar të Freedom House, “Liria në botë 2026”, duke u renditur si vendi më i vlerësuar në rajon për shkallën e lirisë.
Raporti vlerëson progresin e vendit në aspektin e të drejtave politike, funksionimin e institucioneve, përpjekjet në luftën kundër korrupsionit dhe transformimin e sistemit të drejtësisë.
Në episodin e 11-të të podkastit “Flasim”, në sezonin e tij të gjashtë, Kryeministri Edi Rama u shpreh se, edhe pse i merr me rezervë shumicën e raporteve ndërkombëtare për shkak të metodologjive të ndryshme, ky raport meriton vëmendje.
Ai theksoi se Shqipëria ka përmirësuar pozicionin e saj jo vetëm në krahasim me të kaluarën, por edhe në raport me vendet e rajonit, duke lënë pas Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë.
“Ky rezultat na vendos në krye të rajonit, duke reflektuar progresin e vendit në të drejtat politike, funksionimin e institucioneve dhe luftën kundër korrupsionit. Ajo që e bën më domethënëse këtë rezultat është fakti se ai vjen në një kohë kur liria dhe demokracia po përballen me sfida globale”, u shpreh Rama.
Rama gjithashtu nënvizoi rëndësinë e sigurisë kibernetike, duke shtuar se Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë ndërkombëtare në këtë fushë.
Ai informoi se vendi ka ndërtuar një sistem mbrojtjeje kibernetike të avancuar, ka forcuar strukturat përgjegjëse për sigurinë digjitale dhe ka implementuar mekanizma inovativë për të reaguar ndaj kërcënimeve në hapësirën digjitale.
“Edhe pse unë nuk jam një tifoz i flaktë i raporteve, e thashë edhe më parë, e dinë të gjithë, gjithsesi, kjo është një ditë shënimesh, ku jo një, po dy raporte zënë vend. Dhe ky i dyti është me një vlerë të veçantë në ditët e sotme, pasi është raporti për sigurinë kibernetike dhe për ne, kjo ka një rëndësi të veçantë, sepse ne jemi në fokusin e një armiku, që na sulmoi në mënyrë të pamëshirshme, disa vite më parë, duke na gjetur, jo plotësisht të përgatitur, po pa mundur të na bëjë dëmin që parashikonte dhe na sulmon përditë, po tanimë, pa asnjë sukses apo me ndonjë gërvishtje të lehtë fare, siç ndodhi me disa materiale, krejt pa asnjë rëndësi të Kuvendit të Shqipërisë, edhe për shkak se sistemi i Kuvendit nuk është ende plotësisht i integruar në sistemin tonë të mbrojtjes”, deklaroi Rama.
Sipas këtij indeksi ndërkombëtar, Shqipëria renditet në dhjetëshen e parë.
“Tani kështu është dhe hyn në një grup shumë të kufizuar vendesh me performancë të lartë në këtë fushë dhe në këtë rast, kjo përkon plotësisht me testimet e sistemit tonë mbrojtjes. Ne kemi ndërtuar një sistem mbrojtje që është vërtetë i një niveli shumë të lartë. Kemi forcuar strukturat përgjegjëse për sigurinë kibernetike dhe patjetër që, duke i përmirësuar në vijimësi kapacitetet e reagimit ndaj kërcënimeve në hapësirën dixhitale, si edhe duke bashkëpunuar me partnerët e duhur me kurajo, kemi implementuar, jetësuar një sistem inovativ dhe faktikisht kemi zënë një vend në pjesën më të sipërme të klasifikimit të përgjithshëm, në rang global, si rezultat i gjithë këtyre zhvillimeve”, theksoi Rama.
/r.e/