E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqiptarët festojnë Ditën e Alfabetit, Rama: 22 nëntori vulosi shqipen si kod gjuhësor dhe univers identiteti

22 nëntori shënon Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe, një nga ngjarjet më të mëdha kulturore, arsimore dhe kombëtare të historisë sonë.

Kjo ditë kujton Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908 ku 50 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare vendosën unifikimin e alfabetit shqip në bazë të shkronjave latine.

Një urim për këtë festë të rëndësishme erdhi edhe nga kryeministri Edi Rama. Me anë të një postimi në Facebook, ai e cilësoi 22 nëntorin si ditën që vulosi shqipen jo vetëm si kod gjuhësor, por si një univers identiteti.

Nga shkolla “Luigj Gurakuqi” në Shkodër presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e gjuhës shqipe ndër breza si dhe sakrificat e atdhetarëve për ta ruajtur atë.

“Gjuha jonë shqipe është një nga gjuhët më të vjetra të Evropës, që i ka mbijetuar pushtimeve, ndalimeve dhe përpjekjeve për ta zhdukur. Asnjë fuqi e huaj nuk mundi ta shlyejë, sepse ajo jetonte në zemrat e njerëzve, në fjalët e nënës, në këngët e trimave, në rrëfimet e të urtëve. Shqipja na ka mbajtur gjallë si komb kur nuk kishim shtet, kur nuk kishim ushtri e as kufij të përcaktuar”, tha Begaj.

Dita e Alfabetit  përfaqëson momentin e unifikimit kulturor të shqiptarëve ndërsa Kongresi u mbajt në Manastir të Maqedonisë së Veriut.

Dita e Alfabetit u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe kremtohet gjerësisht në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në Diasporë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›