“Shqiptarët pa kufij”, emisioni i ri në RTSH2 që do të tregojë historitë e diasporës shqiptare

Rrjeti i kanaleve të Radio Televizionit Shqiptar do të sjellë për publikun një emision të ri kushtuar diasporës, “Shqiptarët pa kufij”, i cili do të transmetohet çdo të hënë dhe të shtunë, nga ora 20:00 deri në 21:00, në RTSH2.
Emisioni, i cili do të drejtohet nga gazetarja Albana Qiriako, do të ndjekë nga afër jetën e shqiptarëve kudo në botë, duke sjellë histori njerëzore, sfida, arritje dhe përpjekjet e përditshme për të ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar larg atdheut.
Episodi i parë do të ndalet te një temë me rëndësi të veçantë për komunitetet shqiptare jashtë vendit: mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët e diasporës. Reportazhi do të sjellë pamje dhe dëshmi nga ishulli i Kretës në Greqi, ku mësues të gjuhës shqipe nga e gjithë Greqia janë mbledhur në një seminar kushtuar përçimit të gjuhës dhe kulturës shqiptare ndër breza.
Përmes intervistave me mësues, prindër dhe fëmijë të komunitetit shqiptar, emisioni do të tregojë përkushtimin dhe sakrificat për të mbajtur gjallë shqipen edhe larg Shqipërisë. Në program do të përfshihen gjithashtu mesazhe dhe qëndrime nga përfaqësues të institucioneve shqiptare që mbështesin komunitetet shqiptare në diasporë.
“Shqiptarët pa kufij” synon të kthehet në një dritare televizive për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit, duke sjellë në ekran historitë e tyre dhe duke forcuar lidhjen me atdheun.
Emisioni “Shqiptarët pa kufij”, me moderatore Albana Qiriako, do të transmetohet çdo të hënë dhe të shtunë, në orën 20:00, në RTSH2.
/rtsh.al/